Disa fragmente prej veprave të Riza Lahi
RIZA LAHI
MARATONOMAKU NGA SHKODRA
“Burrave të rritur me ninullat e Rozafës...Shkodrës sime “Autori
... Përpirës tani po avitet muzgu rrëzë
madhështisë së frikshme të kalasë. Kalaja sikur afrohet pranë e më pranë me kalimin e minutave. Afrohet me
përmasa vigane për të na zënë brenda, po të dëshirojë, si një re.
Muzgu, i zbehur
nga dashuria, po përkëdhelë kërrelat e
kaltra të Bunës, ndërsa ajo nuk e ka mendjen; ajo po mërmërin duke perënduar sytë, jare Shkodrane...
Kushedi se ç'ka
parë brigjeve të veta gjatë vajzërisë së përjetëshme kjo Bunë
...!Është e vetmja që di të ruajë intimitete shpirtërash; nuk ia tregon
askujt, vetëm Rozafës, askujt tjetër më.
Buna po shkon
anës këmbëve tona e bollshme, e qetë. Ajo di të marrë me të mirë ëmbëlsisht sy
njerëzish të dërrmuar nga streset... Ke dëshirë këto minuta vetëm të vështrosh
ujërat ... Vetëm të heshtësh.
Fërshëllima
shumë e lehtë e ujërave, ngjan si një korale ëngjëjsh. Sigurisht që engjëjt
kanë zërin e tyre. Ky zë duhet të ngjajë shumë me mërmërimën e ujërave të Bunës
nëpër muzg. ... Buna ecën tërë hire , ojna - onja, si një nuse faqeplotë
Shkodrane e veshur me rrobet e dasmës, që sapo i ka nxjerrë nga arka e saj e
vajzërisë; si një nuse që po zbret që nga shkallët e ballkonit , si duke
zbritur një anije me vela...
…Buna nuk po ka dëshirë të mbulohet me perçen
osmane të natës dhe mërmërin duke
kënduar me vete:“Kur ka hypë Jonuzi në lundër”. Vërtetë nuk e dëgjoni se
si këndon tani ajo duke dalë nga shtëpia e vajzërisë, liqeni? Buna do të
këndojë deri në mëngjes në gjerdekun e vet; atje
ku nuk guxon të futet askush. Në oborr,
atë e ruan si një vjehërr e sertë , Rozafa.
Ju betohem që nuk ka më
të bukur në botë, sesa të bësh not shpinë mbi Bunë duke parë herë Kalanë e herë
shpendët e shelgjet që derdhen përmbi ty...
DINOSAURËT E FUNDIT VLL 1
NJË MIJË METRO ME NJË TË VDEKUR NËPËR QIELLIN E PARISIT
" Kur ishim
njëqind e tetëdhjetë
gradë përmbys, na dolli para gunga e llahtarëshme
e një kodre.
Kursanti im, që ndodhej në
kabinën e parë,
ulëriu, hoqi të dy duart nga komandat e aeropla -
nit dhe i vuri
në kokë...
Ndërsa leqet e këmbëve më
dridheshin,bëra të vetmen gjë
që mund të bëja
tanimë për të shpëtuar
jetën time dhe
të Novruzit - të shmangesha
paksa për në
ultësirën e luginës duke
u ruajtur që të
mos përplasesha me kodrën
tjetër, përball
së parës.
Ndërsa ende avjoni
humbiste lartësi si
një sadist dhe unë e kisha levën krejt nga
vetja,gurët e
lumit poshtë afroheshin...
sikur
fryheshin...Isha në lartësinë 20
metro...Avjoni
zbriti edhe pak...Nuk kisha
c'të bëja më..."
BUDION TOLLKUÇI
"Pasi zbritëm nga UTI MIG 15
ta, e mora mënjanë Novruzin (Kotorri)", vazhdon tregimin më të frikshëm të
jetës së tij njëri nga të tre pilotët shqiptarë të linjave ndërkombëtare (
krahas Myzafer Zahos dhe Musa Kames), dhe i thashë: " O, Noke! E...përse
bërtite qëpari?"
"Ishte shumë e frikëshme, shoku instruktor...S'e mora
vesh,c'bëmë?"
" Ishte dicka që ti nuk duhet ta bësh kurr, sa të jeshë në
aviacion...Njeriu duhet t'i mposhtë ndjenjat e frikas...Paniku nuk ka ndihmuar
asnjeri gjer më sot...Gjithsesi, ishte faji im që u futëm ashtu!"
* *
*
Budjon TollkuÇi..."TollkuÇi",apo "Të hollët e KuÇit"
flet për një prejardhje prej kushedi se sa brezash në Polenë prej njërit nga
disa Kucët e Shqipërisë të pilotit që, megjithse i ditlindjes 24.10.1947, pra,
54 vjec, ende ngjan me një djalë shtatzhdërvjellët, pa një qime të thinjur, mbi
një e tetëdhjetë i lartë dhe me aftësinë për t'u përqëndruar menjëherë dhe për
të qeshur po aq shpejt.
Duke mos menduar turbullt asnjëherë si një malësor mirdite, pra, duke qënë
i qartë për cfardo ta pyesësh, edhe kur ai e di, edhe kur jo, duke mos i shkuar
asnjëherë në mëndje t'i bëjë njeriu keq përmes ndonjë pësh - pëshi ( të cilat
gjithmonë shkojnë te i zoti,duke krijuar dy palë stresesh ) e duke u gëzuar
gjithmonë për rezultatet e merituara të të tjerëve, Tollkuçi ka miq e
dashamirës ngado. Ai i përngjet nga pamja fizike atyre personazheve të Mopasanit
apo Balzakut, që bëjnë karrjerë duke përfituar nga simpatia e femrave ndaj
tyre. Sigurisht...Po të kishte jetuar në
kushtet e Parisit të shek.19 dhe në rrethanat e "Mikut të Bukur" dhe
po t'i mungonte karakteri tepër korrekt,sic mbanin në Romën antike Mark
Antonin...
Budjonit, të lidhur fort
me familjen e tij, me të shoqen Marita
(arkitekte) dhe me dy bijat
studente, Albanën ( arkitekte) dhe Elën (psikolloge), i ka kënduar ndër duar
tër jetën avjoni, si lodër e aftësive fizike dhe intelektuale. Ai e ka
konsideruar gjithmonë burim të qeshurash me shpirt të mburrurit e cdo njërit
nga shokët tonë jo edhe aq të paktë, që u pëlqen t'u imponohen të tjerëve
përqark me profesionin e pilotit. Natyrisht, në ambjentet civile, ai do t'ia
lërë në cdo rast kënaqësinë për të treguar "episode fluturimi"nga ato
që shtangin e lënë pa gojëhapur civilët cdo kolegu tonë që plas për të treguar
se c'ka bërë "una...una" "kur isha i ri,ehuuuhaaaa".
Një njeri I mirë si
Tollkuçi ,që i pëlqejnë njerëzit ashtu sic janë, duke i respektuar njëlloj të
gjithë përqark si në një komunë të periudhës së primitivitetit njerëzor,
sigurisht që edhe ai ka pasur e ka ambiciet e veta , por kurr për t'i arritur
ato duke i vënë stërkëmbësa shokëve.
Ai kurr nuk e ka tundur kartën e pilotit nëpër kafene,në grumbullime
familiare apo para grave...
* * *
Ndrysh nga të gjitha nënat e pilotëve , së paku nga ata që kam inter - vistuar unë, Ollga Tollkuçi , ish zëvendës komisare kompanie në luftë dhe
bija e njërit nga meshkujt më të pashëm të Polenës e nga më trimat, Dhimitër Minkës, është e vetmja nënë që
ka dashur dhe këmbëngulur për birin
e saj të bëhej pikërisht pilot.
Madje jashtë lezetit të të shoqit...Koco Tollkuçi, dikur luftëtar gjaknxehtë
e më pas oficer plot arsye, deri sa dolli në pension, që donte ta shihte
Budionin me një kitarrë në dorë, në skena teatri, nëpër tubime shkrimtarësh apo
politikanësh.
"Kur jam hedhur me
parashutë për herën e parë ( dhe të vetme), babai më ka pritur poshtë, te vëndi ku isha duke rënë. Kishte ardhur pa
nënën dhe me "fishekun e fundit" me vete.
Sa kam zbritur, më
tërhoqi mënjanë dhe më pëshpëriti në
mënyrë konspirative:
"U kënaqe tani? E hoqe kuriozitetin? Eja të kthehemi në shtëpi !!!...
Po atë ditë, para hedhjes, në
kabinën e aeroplanit AN 2, ndërsa avjoni merrte lartësi, se ku më kish gjetur,
pikërisht mua, doktor Luli ( Lulëzim Bilbili) dhe më maste tër kohës tensionin
dhe pulsin; duket bënte ndonjë studim se si ndryshonin të rrahurat e zemrës dhe
tensioni i gjakut prej emocioneve të frikës së prakhedhjes...Kur u hap dera dhe
u dha sinjali ,ai desh të bënte, sic duket, matjet e fundit ,por unë ia kam
flakur dorën me dhunë dhe jam vërvitur kokëposhtë drejt tokës ,ku më priste
babai i shtrenjtë..."
Vallë, përse ish sekretari i partisë i celulave të fshatrave të rrëzës së
Korcës, ish miku i ngushtë i heroit korcar Raqi Qirinxhiu, tek babai i të
cilit, gjithashtu para clirimit, ai kish qenë shegert, nuk dëshëronte për të
birin profesionin më burrëror që ëndërrojnë zakonisht fëmijët e adoleshentët e
"shartuar" për t'u bërë oficerë?
Për më tepër që, nga Polena, pikërisht, kish qënë piloti i mbuluar me
lavdinë e personit të parë në historinë e aviacionit shqiptar që ka guiduar një
aeroplan nëpër qiellin e mëmëdheut të tij? Atë e kishin ndjekur dikur, kur i
vardisej në rinin tij Ollgës dhe vetëm nga një karafil që kish hedhur në
oborrin e saj, shtatë plumba revolveri nga njeriu që do të bëhej më pas vjehrri
i tij dhe i cili kish refuzuar që të dy herët e emigracionit të vet në SHBA
nënshtetësinë e atij vëndi të stërfuqishëm.
Mbase se, te Budioni, ai kishte parë
tër kohës edhe shëmbëlltyrën e vjehrrit tanimë aq të shtrenjtë, xha Dhimitrit,
që englezët, të cilët i shoqëronte gjatë luftës e thërrisnin Tomi dhe që pat
shkuar me partizanët fillpas së bijës e
dhëndërrit të sapo fejuar. Dhe i kishin lindur pasionet për t'u bërë edhe
Budioni "dikushi" , ca më i vecantë nga "anonimiteti"
heroik i tërësisë aviatore . Si,ta zëmë,së fundi,xhaxhai i vet prift Papa
Sotiri që kish shkruar historinë e gjatë e të ndërlikuar të Polenës së tij
dymijë e ca vjecare. Po...Mos të ketë ndikuar gjë mësuesi i letërsisë Adriatik
Kallulli që ia lexonte hartimet e Budionit dhe Kudret Mitës të të dhejtë
maturëve skënderbegase të atij viti?
Gjithsesi,kujton babain e vdekur 19 vite më parë Tollkuçi, ai, sa qe
gjallë, jo vetëm krenohej e krenohej me mua, por m'i donte shokët shumë,
interesohej edhe për imtësira të fluturimit, përpiqej të më jepte këshilla dhe
kënaqej shumë kur unë ia dëgjoja me shumë vëmëndje.
"E di se si i ndëshkoja unë
kursantët e mi?
XXX
Në vitin 1972,në Rep.Popullore të
Kinës, mes një grupi të madh kandidatësh për t'u bërë oficerë - pilotë,ja që
ishin edhe dy oficerë,njëri nga të cilët personazhi ynë.Kinezët nuk e dinin
këtë dhe,kur i tër ky grup nisi fluturimet për MIG 19,sic tregon
Tollkuçi,ai,tok me instruktorin e tij,thjesht për një pakujdesi të kinezit ndaj
një udhëzimi kategorik të marrë kinezce prej eprorit të tij,"desh u
vramë,ore!".
"Të të rri urtë se qënkam kursanti yt?",iu hakërreva pilotit
kinez që na hodhi në rrymën e avionit para nesh dhe që as që donte t'i binte
atij krahu se ishte krejtësisht faji i tij, " Më ka rënë bretku me
kursantë ca ditë para teje,more vesh?". Ndërsa përkthyesi përkthente atë
që po bucisja unë i inatosur,Arif Gaxhi,ish kursanti im nga Elbasani,shkrihej
së qeshuri...Më së fundi kinezët e morën vesh se ne të dy që dukeshim paksa më
të mëdhej nga të tjerët,nuk kishim bërë ushtri më parë,por kishim përgatitur sa
e sa pilotë,para se të paraqiteshim si kursantë edhe një herë."
Tollkuçi me dhëmbje është detyruar
ta lërë gjuajtësin pas një operacioni në stomak.Në vitin 1973,ai mundi të bënte
edhe disa fluturime në Rinasin e tij të dashur,por,aps dy katastrofave që
ndodhën atë vit,eprorët e njoftuan se...Nuk kishin besim në shëndetin e një
"barkshpuari",sic i thonin tanimë që të gjithë shokët me të qeshur
dhe ai,përfundimisht,u pa në bazën e AN 2 shëve të cilët do të përbënin për të
një kurs e një trampolin të shkëlqyer për fluturimet e mëvonëshme në linjat ndërkombëtare.
Duke marrë cdo vit nga 60 - 70 orë fluturimesh në lartësitë tepër të ulta
mbi terrenin tonë kryesisht kodrinor apo përmbi fusha plot shtylla,plepa e tela
e me një avion tepër sensibal ndaj erës,për mjaft specialistë të aviacionit shqiptar,pilotët
e AN 2 shit të kasaj skuadrilje,kur ishin në kulmet e veta,seriozisht,mund të
konsideroheshin nga më të përgatiturit në Evropë për këtë lloj tipi.Një
"diplomë" e till,sigurisht që është arritur edhe nga ndëshkimet e
pothuajse vitpërvitëshme që merrnin fluturuesit e kësaj baze rreth dy dy
kilometro larg sheshit "Skënderbej" ,ndëshkime,që,c'është e
vërteta,shoqëroheshin me mbledhje të panumurta që të bënin gjakun ujë dhe që të
bënin të mobilizoheshe si një djall...
* *
*
Pas ndryshimeve demokratike,kur
njerëzit presupozohej të nisnin nga një start i barabartë rrugën
kapitaliste,ndodhën transformime të vrullëshme,ku u përfshinë edhe pasurime të
shpejta,mbi bazën e gjithfarë spiegimeve që nuk përbëjnë objektin tonë.Pat jo
pak njerëz që,"paranë e madhe" që bënë e kaluan në drejtime të
ndryshme;një pjseë duke rënë edhe pre e "lupove" të huaj që sigurisht
u sulën në kërë "inkognito
terra",sic ishte për shumë prej tyre Shqipëria e sapo dalë nga një izolim
pothuajse total...
Pothuajse...Një punonjës që përfaqësonte strukturën shtetërore në
marëdhëniet tregtare me jashtë të shtetit komunist,Marsel Skëndo,nga zona labe
e Tepelenës e njohur më nacionalizmin e fortë,me aq para sa kish mundur të
grumbullonte dhe mbase edhe me lidhjet që kish mundur të arrinte gjatë
manovrave prej spacialisti të regjur tanimë,hapi biznesin që do të mbesë në
histori - atë të krijimit të aviacionit civil shqiptar të linjave
ndërkombëtare.
Tre oficerët pilotë që ai u ofroi këtë biznes duke rriskuar edhe vetë
gjithëcka,Myzafer Zaho,Musa Kame dhe Budjoni,të tre burra plot përvojë
fluturimesh e që përfaqësonin në të vërtetë dinjitetin e aviacionit të
Shqipërisë që kish mundur të mbijetonte prej kaq vitesh e izoluar,pranuan
menjëherë.Kështu mori udhë "Kompania e parë ajrore shqiptare",pas një
kursi dy mujorë që bënë këta shokë tanë në Monpelje të Francës,duke bërë nga
dhjetë orë fluturime e nga dhjetë të tjerë " trenazhor".
"Për gjashtë muaj kemi fluturuar duke patur në krah dy pilotë francezë
të linjave të jashtëme;njëri quhej Zhorzh Grevo dhe tjetri Alen Kastio.
Në të vërtetë,të mbash me saktësi parametrat e fluturimit horizontal,të
fluturosh ëmbël dhe të ulesh pastër e bukur,kjo gjë,nuk përbën ndonjë cudi për
një pilot profesionist të forcave ajrore shqiptare.Ama,të ulesh në aerodrome me
nga gjashtë pista ("njëherë ,me
Myzon,jemi ulur në një pistë paralel me një avjon jugosllav,i cili ulej në
pistën paralel me tonën") dhe të shkëmbesh fjali anglisht nëpër tër atë
gurgule të organizuar në perfeksion,manovrimi me mjetet radioteknike apo rënie
e papritur në kushte të vështira metereollogjike dhe pa patur në asnjë rast
zërin e ëmbël të udhëheqësit të fluturimit sikurse në të gjithë rastet në
atdhe,kjo "ndeshje ndërkombëtare futbolli " është përballuar plot
dinjitet nga shokët tanë që meritojnë lavdinë e armëve tona.
Sikur duke recituar një
vjershë,Tollkuçi përmendë të gjithë aerodromet ku janë ulur me 18 vendëshin e
prodhimit brazilian e të blerë nga shoqëria mjaft serioze frënge AIR -
LITORAL EMB 110 të prodhuar në vitin
1985.
Myzi ( Myzafer Zaho),Buli (Musa Kame) dhe heroi i tregimit tonë,janë ulur
në disa aerodrome italiane,franceze,gjermane...Në Rumani,në
Belgjikë,Angli,Greqi...
Një nga fluturimet më të sikletëshme,Tollkuçi kujton atë të kthimit nga Janina
për në Tiranë dhe kur kushtet metereollogjike ishin të llahtarëshme;avjoni
pothuajse nuk komandohej dhe ndodheshin vetëm njëqind metro lartësi.Të gjithë
pilotët e dinë se cdo të thotë të biesh në një rrymë ajrore të fuqishme.Për
fat,pasi avjoni nuk u përplas si rezultat edhe i jastëkut ajror të krijuar prej
ngjeshjes së ajrit,nisi të ngrihej përpjetë krejtësisht jashtë vullnetit të
aviatorëve.
E vetmja rrugë shpëtimi ishte ulja
në Atdhe.
"Kishim në bort dy pasagjere;një greke të bukur që nisi të ulurinte
dhe më pas të kënaqej së qeshuri,dhe një amerikane krejtësisht të verbër e cila
vetëm rrinte si statujë gjatë atyre përpëlitjeve dhe që na tha pas uljes se
ishte e lumtur që kishte ndeshur atë ditë në burra të vërtetë".
Kosova...
Piloti Ramadan Ania më thoshte një
ditë se "të shoh një herë Kosovën e
të vdes!"...
Ulja e shokëve tanë në Kosovë dhe jo një herë,por në linjë të
rregullt,sigurisht që ka përbërë e përbën një krenari që mund të shprehet vetëm
me regjistrime fotografike për këtë popullatë që ka vuajtur kaq shumë nga
shtypja dhe përbuzja nacionale.
"Një vajzë e re kosovare u sul për të na puthur Myzon dhe mua pa e
pyetur fare burrin me qeleshe që e shoqëronte...Ishte një dashuri motre që e
ndesh kudo nëpër Kosovë",thotë Tollkuçi,duke evidentuar,vec këtij deti
mrekullie të dhuruar nga profesioni i të qënit pilot i Shqipërisë,edhe një
ngjarje tjetër po kaq të gëzuar.
Por ca të vecantë.
Për hir të kushteve metereollogjije,atij dhe Myzos i ka takuar si askujt
tjetër jo vetëm nga "Vëndi i shqiponjave",të fluturojnë 1000 metro
përmbi Paris.Ata kanë parë nga fare pranë "Tur Eifelin",
"Katedralen e
Prisit","Shans Elizenë"...
Dhe e kanë patur në
bortin përplot me kurora me lule dhe gjethe të ngrira,sic është trupi i cdo
njeriu pa frymë.Mes kurorave ndodhej i shtrirë
njeriun që ka bërë më shumë se askush tjetër nga raca shqiptare për
afrimin e popullit tonë me atë frëng.Kanë patur Jusuf Vrionin,përkthyesin
gjenial të Kadaresë,gjenisë shqiptare të letrave...
Ndërsa të dy pilotët
manovronin me levat dhe instrumentët e aeroplanit nëpër atë qiell plot
trazime,qark Vrionit të shtrirë mbi kurora,qante pareshtur një grua dhe rrinte
vetullmbërthyer e pa hedhur asytë asnjë cast nga dritarja një burr.Ishin
bashkëshortja e të ndjerit, Agi, dhe ambasadori shqiptar në Paris,Luan Rama.
"Legjionari i
Nderit",Jusuf Vrioni, po lundronte nëpër ajër për t'u mbuluar me dheun e Atdheut, duke ia
thënë me krahët e këtij aeroplani shqiptar lamtumirën e fundit
Parisit të Hygoit,Balzakut, De Golit, komunarëve...
Si rastin më të frikshëm
në fluturim,Budjon Tollkuçi ka shënuar atë,me të cilin ne hapëm tregimin e tij.
I ka ndodhur në moshën
fare - fare të re.Me kursantin e tij Novruz Kotorri.Ka ndodhur "vetëm për
fajin tim" ,thotë vetullmbërthyer Budjon Tollkuçi,i cili mundi të mbijetonte
vetëm falë përqëndrimit mbinjerëzor në ata caste fatale.
P.S.
Ndodh nganjëherë që Agi
Vrioni të shohë në rrugë pilotët që i sollën të shoqin në atdhe.
Ndërsa të dy shokët,Myzua
dhe Budjoni,e përshëndesin atë me nderim,ajo provon edhe një tjetër ndjenjë -
atë të intimitetit të
një valsi mortar që kanë provuar
së bashku me orkestrën e zhurmës së motorrave
NJERIU QË QESHI ME SHPIRT PASI KALOI NËPËR FERR
"Qënkedjalë i ri, o
komandant...Mjerë
ty që të kapi...Nuk i dihet se
si do
të dalë e tër kjo punë" , më tha duke
më parë me dhëmbje zëvendës ministri
i mbrojTjes, Alfred Moisiu... Makina
e tij la një shtëllungë të gazi
të
padjegur pas drejt Tiranës, ndërsa unë
u ktheva drejt lemerisë ku më duhej
të vendosja për gjithëcka...Ishte 9 apo 10 marsi i '97 ës"
Agim MATRAKU
Nëpër ferr...
Paradoksi
qëndron se, ky burr thuajse pesëdhjetë vjecar,mbase I vetmi prej
pilotëve të flotës ajrore aktuale shqiptare të cilët disponojnë ende në
perfeksion teknikën e pilotimit të lartë, vërtikal, me aeroplanin tonë hala
bazë për mbrojtjen tonë ajrore, MIG 19, këtë ferr...këtë ferr për natyrën e tij
të qeshur, gazmore, paqësore dhe ku është plot bollësi "buon sensi",
e ka kaluar tamam në kushtet "tokësore".
Ndrysh
nga c'e presupozon ferrin ( dhe parajsën ) imagjinata njerëzore e që, sipas
kësaj imagjinate, duhet të jetë diku 14 mijë metro më pranë për pilotin e
lartësirave stratosferike. Lexuesëve,
sigurisht që u tërheqë vëmëndjen mbiemri "Matraku" .
Është
një pikturë e periudhës së rilindjes sonë, një vepër e klasicizmit shqiptar në
pikturë, e quajtur "Çeta e Shahin Matrakut"e Spiro Xegës.
Në
atë tabllo ku mbizotëron e blerta e jetës më interesante të kacakëve, paraqiten
një grup komitësh të shtruar për shtatë palë qejfe në një lëndinë mes pyllit,
ku spikat kryekomiti i mësuar të shqyejë " thela ujku" .
Ju
siguroj që Agimi duket nga të pamët se nuk ka asgjë prej "kapurali"
që është mësuar të nxjerrë alltijen për një fjalë goje ; atë e thërrisnin
shokët sapo kthehej nga statosfera, si kishte kryer provat maksimale të
aeroplanëve të saporiparuar në uzinën e aviacionit të Kucovës " eja, Gimo,
shpejt, se do të nisim futbollin, c'u vonove aq?".
Sic
do ta shohim më poshtë, edhe nën lëkurën e këtij buzagazi sic kanë qënë zakonisht
drejtuesit e vecantë të rinisë në kohën e komunizmit, ja që ka edhe nga genet e
katragjyshit të tij që e shikonte vdekjen duke bërë shaka me gjithë shpirt me
'të.
PREJ POPÇISHTIT, NË SENISHTË
Shahin Matraku i ka lënë trashëgimtarët e
tij në Popcisht. Ata u shpërngulën që andej për cështje hakmarrjeje.
Kacaku
Shahin, duket e paska dashur artin shumë, sa c'e do në kushtet e kultivuara,
stërnipi i tij.
Agimi
ka një bibliotekë të bukur, nga e cila,
ai, nuk ngopej së lexuari për orë të tëra edhe me zë të lartë për të shoqen, Marikën, punëtore në Uzinën e
Aviacionit; ndërsa ajo punonte triko duke i mbajtur veshët katër për të mos i
harruar më c'i lexonte i shoqi.
"
Ah, asnjëri prej të dy djemve të mi, as
Idvisi që vazhdon për inxhinjeri elektrike e që thonë se i ngjet shumë
gjyshit tim Mecos së Senishtit ( e quanin Mehmet Matraku ), e as Aldi, nuk i
duan librat sa c'i kam dashur unë" , thotë " As" i që nuk i
pushon goja si një poeti të ndezur.( Dikur, në shkollën "Skënderbej",
mësuesja e letërsisë Flutura Xoxa i lutej, "për qejf", të recitonte
poemën e Kadaresë " Shqiponjat fluturojnë lart" apo ndonjë gjë nga
Agolli).
Nga
bëmat e kacakut Shahin, nuk dihet në kanë ardhur deri më sot detale të tjerë,
por njëri prej tyre ka notuar plot siguri deri mes nesh. Ai ka pasë nxënë një
rob grek; mbase ndonjë andart, nga ata me të cilët janë ndeshur rregullisht
patriotët korcarë e kolonjarë dhe, jo rrallë, nënat e atyre anëve, i truanin bijtë e vet, kur ngjiste,
me të sharën "andart".
"
Ose më bëj një portret me bojra që të më ngjasë mua dhe të ikësh i lirë nga ke
ardhur për të mos u kthyer më kurr, ose do të ta heq kokën me këta dy duar!
" , flitet ende, si për një ngjarje që sapo ka ndodhur, për kacakun , nga
i cili, në vënd të portretit të grekut, kemi këtë që të kënaq shpirtin, sapo e
sheh në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Agim
Matraku nuk bën pjesë në atë kategori koleksionistësh të origjinës familiare
sepse jeton intensivisht të tanishmen, por, gjithsesi, ai nuk ka se si të mos
kujtojë ngjarje karizmatike të rrënjëve të tija ,ashtu, duke folur me të
shpejtë e pa i kushtuar ndonjë seriozitet të vecantë, si një nuse e bukur që ka
veshur dicka që i shkon shumë, por që u tregon me modesti shoqeve të veta se e
ka blerë fare lirë, "te gabi" .
Ai kujton
, për shëmbëll, gjyshin e tij, Mehmetin pra, Mecen, që ka qënë gjuetar i
shkëlqyer, që ka qënë shtatlartë dhe i sertë dhe që ka vdekur nëntëdhjetë vjec
pa lënguar fare... Dhe që babain e tij ia patën vrarë xhonturqit.
Babai i Meces, Hajdari , drejtpërdrejtë nip i
kryekacakut të pasionuar pas pikturave, sic pat qënë pashai oriental i Janinës
pas poezisë apo Karamahmut pashë Bushati
pas librave, u pat pushkatuar ( apo vrarë në pusi a betejë ) nga xhonturqit. Ai
ka patur një bashkëshorte shumë të bukur e po aq trimëreshë, që e kanë quajtur
Aishe. Aisheja e ruante të birin, Mecen pra, me qytën e pushkës për faqe dhe
gati për të hapur zjarr, ndërsa ai punonte i qetë tokën; i qetë se amazona e
tij e pagabuar , duket, kishte dhënë prova, megjithëse shumë më e re se Maro
Mokra e njohur e Luftës së Dytë Botërore.
Aishen
deshën ta martonin; ajo nuk kishte se si të ikte nga dera e Matrakëve dhe,
kështu, vendosën që ajo, tanimë e tutje, sic ishte dhe tradita e atyre kohëve,
të flinte në një krevat me të vëllain e pamartuar të të shoqit të ndjerë,me
Rexhepit.
Rexhepi
i ri gjet një mënyrë monumentale, e denjë për rracën patrice, dinjitare të
Matrakëve - të martohej me kunatën e bukur, por të mos flinte kurr me të.
Kurr...
Rexhep
Matraku u përvodh nga shtëpia për në kurbet; në vëndin ku rrallëkush qe kthyer
më - në Amarikë prej nga ai i dërgonte para rregullisht "së shoqes" ,
që ajo të rriste fëmijët e të vëllait rënë dëshmor në luftë me xhonturqit, të
mbante veten si edhe derën e shtëpisë të
hapur.
Që
t'i rrinte besnik betimit të tij, Rexhep Matraku, emrin e të cilit e mban një
gjeollog, njëri nga të shtatë fëmijët e Hajdar Matrakut të ri, babait edhe të
Agimit, Luanit, Yllit, Tatjanës, Suzanës e Edmondit , si ndonjë personazh i
dalë prej Londonit, pikërisht nga " Thundra e Hekurt " , vendosi të
mos martohej. Një martesë do të ndikonte në uljen e pasionit për të ndihmuar
fëmijët jetima të të vëllait dhe kunatën besnike.Rexhep Matraku e mbylli jetën
në emigracion pa u martuar kurr.
Dhe
pa u kthyer kurr më në Senishtën e tij. Në atdhe...
VETËM NË SUPERSONIK...QË 24 VJECAR
Petrit Dashi është jo vetëm i një brezi,
mirëfillazi, me Matrakun. Ata kanë qënë të dy ,qysh në rininë e parë ,në Kinë, në një grupim edhe
me Astrit Jaupin, Gjergji Spahon, Ismet Zervoin ( që na ka lënë prej një
sëmundjeje të keqe dhe të cilin protogonisti ynë e ka dashur vecanërisht); në
një grupim me Shefqet Latën,Sokrat Shorën, Kristo Kocin, Flamur Shllakun, Bilal
Kadënën, Qemal Likën,Viktor Backën etj.
Vetëm
Petriti dhe Agimi, posedojnë aktualisht në përsosmëri artin shqiptar të
pilotazhit të lartë me supersonikun tonë bazë.
Në
një farë vështrimi, ata janë edhe rivalë në kuptimin e "unit" të
stërnjohur albanez.
Ja
pra, se c'më tha një natë në telefon ndërsa po hidhja këta shënime në
kompiuter Dashi hijerëndë, fjalëkursyer
dhe i mbyllur me shtatë kyce në kështjellën e krenarisë së tij. E pyeta,
pikërisht atë , dhe jo idhujt e Matrakut, tanimë pensionistë, Harilla Rebin,
Vangjel Llazarin, Viktor Vangjelin apo të dy instruktorët e tij, Delo Isufin
dhe Gëzim Berdën.
"
Petrit! Vetëm dy fjalë, fare pak, për anën profesionale të Agim Matrakut, sipas
teje, të lutem" .
Pas
një pauze, mbase edhe një dueli të brendëshëm, ai u përgjigj kështu:
" Ka fluturuar që djalë
vetëm në supersonik. Është i dhënë pas fluturimit...Ai... Sakrifikon shumë dhe
nuk i ankohet askujt për asgjë...Sigurisht që është me përvojë dhe...Në të
vërtetë, nuk ka asnjë të sharë kur u spiegon të tjerëve...Agim Matraku ende e
ka pasionin për të fluturuar" .
" Petrit, do të më zbukuronte
librin tim edhe jetëshkrimi yt, po, të mbaroj të Agimit një herë...Ka shumë
punë...Si thua, do të rrijmë ca kohë edhe bashkë?...Pas nja dhjetë ditëve?
"
Më falënderoi pa ndonjë emocion
të vecantë dhe i uruam njëritjetrit natën e mirë.
... Kur ende nuk ishte bërë oficer - pilot, sic kish qënë Bashkim
Agolli, që vinte përmbi fshatin e tij Zvarisht me aeroplan apo veshur shik me
emblema fluturimi, fshat ku Agimi shkonte me javë të tëra për pushime, pasi
atje ka lindur nëna e tij, Nuria sot 68 vjecare ( jemi në maj, 2002) , heroit
tonë i takoi të përplasej me një ngjarje
të lemerishme...
" M'U FIK MOTORRI..."
Matraku kujton pa as dhe një thërrime nga
buzëqeshja e tij që s'i hiqet asnjëherë nga buzët, se, atë mëngjes të 20 nëntorit
1972,ishte ca i mërzitur, "për cështje sedre".
Cili "as" nuk ka qënë i
mërzitur ndonjëherë "për cështje sedre"?
Dhe, cili u bë "as" pa
qënë i mërzitur keqaz më tepër se një herë për të këtillë cështje ?
Agimi kujton ndihmën që i ka
dhënë për formimin e tij profesionist, njërin prej instruktorëve veteranë të
reaktivit, një burr i heshtur, tejet jashtë djallëzive dhe qindra kilometro
larg "bërrylave", një njeri që e kujtojnë mjaft pilotë për pastërtinë
kompiuterike të fluturimit, i vetmi jevgjit të cilit ia heqin kapelën me nderim
që të gjithë profesionistët e dalë nga
shkolla e jonë e aviacionit (tanimë “Babace Faiku “) e që quhet Guri
Merko.
" Unë shmangesha djathtas
gjithmonë në ulje. Isha thuajse në gjëndje krize prej kësaj shmangieje, të
cilën ma eleminoi pedagogjia e Guri Merkos, dhe unë nuk e përsërita më" -
thotë Matraku.
Mbase nga që s'po e eleminonte këtë "shmangie", kursant
Matraku ishte "ca i mërzitur" kur u fut në sediljen e parë të MIG -15
tës dy vendëshe duke patur pas
instruktorin e tij Delo Isufi, i njohur për qëndrimin e tij kategorik
kundër "huliganstvove" në praninë e kursantëve, për shpirtin e tij
romantik dhe si autor i një vëllimi të ndjerë me poezi.
Kur ishin vetëm në lartësinë 500
metro në hapësirën e aerodromit,befas ra fuqia motorrike ; motorri qe bllokuar
në xhirot e vogla dhe, duke shfrytëzuar vetëm formën e krahëve për të
kullandrisur forcën e rëndesës, duhej bërë ulja e menjëherëshme në pistë.
Ngaqë nuk u funksionoi në rregull
edhe sistemi i mbledhjes së rrotave, të cilat duhen të jenë pikërisht ashtu
kësi rastesh,ulja u bë me këtë bilanc: " Delua nxorri shpatullën, unë desh
nxorra sytë".
Të dy djemve nuk u qe mbledhur
njëra rrotë.
Pyetjes sime nëse i kishte shkuar
ata caste mëndja te vdekja, Agimi iu përgjigj me të qeshurën e tij të
përzemërt, të zakonëshmen.
Unë e besova menjëherë.
Thonë se, një klysh i rrahur,
vjen e bëhet një qen qurrash...
Agim Matrakun e kemi parë të
gjithë në një ditë solemne të bënte mbi aerodrom një "virazh" tejet
të vecantë.
Virazhi është një rrath i mbyllur
horizontal rrezja e të cilit, sa më e vogël që të jetë, aq më i ngjeshshëm
është organizmi i pilotit përmbi sedilje, duke ushtruar mbi të disafishin e
peshës së tij. Ky "disafish"
quhet mbingarkesë, e cila shoqërohet me një stërmundim të trupit të njeriut
deri në errjen e syve, deri në të fikët; fëtyra e pilotit ata sekonda, i
ngjet shëmbëlltyrës së tij në moshën e
pleqërisë së thellë, për të ardhur në gjëndjen rinore vetëm në mbarim të atij
stërmundimi.
Gjatë "virazhit",
pilotit i duhet të mbajë edh "pastërti", përpos përballjes me efektet
shkatërruese të mbingarkesës.
E, pra, heroi ynë buzagaz, ka
bërë në prezencën tonë dhe të një delegacioni italianësh, me MIG 19, me
"forsazh", pra, me tër kapacitetin emergjent që përmbab motorri i
reaktivit, një virazh, vetëm njëzet metro mbi pistë. Mbingrakesa gjatë
tërheqjes shënonte gjashtë ( pra, ka ushtruar mbi ndenjëse dhe mbi cdo pjesë të
trupit gjashtë fishin e peshës së vet).
Kuptohet se c'mund të ngjiste nga
një lëvizje qoftë një milimetër gabim me stërnipin e kacakut Shahin Matraku, që
, megjithëse c'ka parë dhe pësuar atë 20 nëntor të vitit 1972, gjatë tër jetës
së vet ajrore, ka patur sigurinë për jetën , sic e ka një luftëtar veteran i vijës së parë të zjarrit që nuk
është plagosur asnjëherë...
"
Sa orë ke bërë këtë vit, zoti komandant? "
- përktheu pas përfundimit të demonstrimit shoqëruesi i ushtarakut italian.
Pasi mori përgjigjen " tetë
orë", askush nga njerëzit përqark nuk e patën më nevojën e përkthyesit kur
u dëgjua:
" Ma lei é favoloso!"
DASHURI MBI KOCKAT E KRYQËZUARA
...dhe një kafkë në mes - a s'është kjo
pamja - simbol e vdekjes , pamvarësisht
nga nderet e dhe kurorat e bukura e të pikëlluara?
Kur
nuk ka ngarkesë pune dhe njerëzit kanë në target për të shtënë mbi të pikërisht
kohën, vihen re se si lindin në shpirtin e njerëzve përqark, madje , i habitur,
ti mund të vëresh të njtën gjë edhe te vetja, pasioni për thashetheme,
dashaligësi, cmirë , furi për të sunduar të tjerë a për t'i poshtëruar ata, e
turli dëshirash të paligjëshme.
Kushedi
se cfar ngjet në grupime që nuk kanë resurse për t'u stërvitur...
Cuditërisht,
ndrysh nga vëndeve të tjera me grupime oficerësh me sa kam vënë re unë, në
regjimentet fluturuese të Rinasit, Gjadrit dhe të Kucovës, të këtilla barëra të
egra ka patur mjaft me pakicë. Unë mendoj se kjo ka ardhur, pasi, atje, kohë
pas kohe, në mencën e pilotëve, një shok u mungonte përjetë. Dhe krejt pa
pritur.
Mbase
kjo pastërti shpirtërore është selitur nga gjaku i tridhjetekatër shokëve tanë
të rënë; të rënë kryesisht nga këta regjimente...
Duke u përpjekur të përjetoja sa më mirë në
lëkurën time atë c'ka hequr shpirti i këtij njeriu që më mirë se kokën përpjetë
para shokëve preferon duart nëpër supet e tyre, atë c'ka hequr në marsin e '97
ës kur barra e tmerrëshme e përplasjes së politikanëve ia gjeti shpatullat atij
në KUcovë, i kërkova të më sillte një fotografi.
Agimi
më solli disa, dhe unë i mbajta njërën. Në të është ai, i veshur me kostum e
kollare të vecantë; flokët e rrëzuar mënjanë ballit dhe vështrimi të sjell në
mëndje ndonjë prej aktorëve italianë që i zgjedhin regjisorët prej syve të tyre
vrastarë ndaj seksit tjetër.
"
Unë mezi po e mbaja veten të mos ia plasja të qarës, nuk e dallon?" , më
cuditi Matraku me spiegimin e tij shtuar
se aty ishte ditën që qe bërë dhëndërr.
"
Vasil Andoni desh të më jepte makinën e tij, të komandantit të regjimentit,
duke përdorur edhe variantin e fundit - gjoja po më conte në Korcë me shërbim
për të parë aerodromin e Lumalasit. Në këtë mënyrë, unë të coja nusen,
Margaritën, në shtëpi, ku qe hapur dasma. E tër Kucova kishte atë javë 117
dasma dhe ishte vetëm një makinë nusesh.”
Atë
vit qe bërë problem shtetëror përdorimi i veturave të shtetit për cështje
personale por Komandant Vasili, u përpoq të gjente një koridor të këtillë
dinak, por, pa sukses.
"
Sa të jem gjallë nuk do të harroj sytë e Komandant Vasil Andonit atë ditë kur u
nisa i pashpresë ..." kujton Matraku pensionistin që sot ende punon për të
mbijetuar duke patur forca në trupin e tij prej shpirtbardhësisë dhe humorit me
të cilin merr cfardo lloj telashi.
Bukuria
e dashurisë për të tjerët do ta shoqëronte djaloshin që ka dalë në fotografi
pas të bërtiturave të rrepta të gjyshit të tij të sertë, tër jetën... Ai ia
atribuon beharin e përherëshëm në
fëtyrën e tij edhe një fakti tjetër."Margarita është nga një rracë e qetë
dhe e qeshur...Babai i saj, Spirua, që m'i përthente librat gjithmonë , lexonte
libra shumë dhe, një nga gjërat e mira që njeriu merr nga librat, është të mos
mendosh keq për njerëzit".
TROFTA E UJRAVE TË SHPEJTA
Agim Matraku më tregon me të shpejtë,
sigurisht duke qeshur me të mbyllur capkën të syrit - hehe, ja pra, të mburrem
dhe unë, a më the vetë? - për ca kulme të CV së së tij fluturuese, si
pjesmarrja në filmin "Ballpërballë", në parada, me pilotët e kalimit,
të qënët që tridhjetedy vjec për dhjetë vite intsruktor për klasë, e...Ehu...
Dhe..." Vdisja për të fluturuar në cift
në pozicionin e shoqëruesit!"
ËNGJËLLI QË FLUTUROI NËPËR
FERR...
E bija e Spiro Priftit, mbesa e partizanit
Llukan, emrin e të cilit sot e mban një lagje, i ka treguar të shoqit vetëm si
ai është kthyer në shtëpi pas atyre 28
ditëve që lidhën funddimrin me
pragpranverën e '97 ës...I ka treguar për telefonatat e përnatëshme dhe
anonime.
"
Poqese Agim Matraku do të ngrihet edhe një herë tjetër më në ajër, shtëpinë e
keni të djegur ! ".
"
I thuaj tënd shoq se, poqese nuk ngrihet në ajër e të vrasë ata banditët e Vlorës, do t'u
zhdukim familiarisht!"
Margarita
e trëmbur në palc edhe pa ata kërcënime, pa të shoqin në shtëpi dhe në atë
atmosferë të xhindosur, kur në shumicën e qyteteve njerëzit mblidheshin në
shtëpia që në drekë, përpiqej të tregohej sa më e qetë kur fliste në telefon me
pilotin e saj apo kur vente ta takonte te postblloku.
Mbi
supet prej artisti të Agimit kishin rënë bubullimat e Zeusit.
Ai
komandonte bazën luftarako ajrore të Kucovës dhe merrte përditë urdhëra për
t'ia transmetuar burrave që manaxhonin 52 aeroplanët luftarakë reaktivë të dislokuar
atje.
Shumica
e urdhërave ishin pa shkrim. Me tone
kërcënues edhe tepër të habitëshëm ndaj
" Betimit ushtarak " ....
...Ndërsa jam duke shkruar, vec fotografisë që folëm më lart, të cilën
më duhet ta ruaj si jetën time, kam përpara edhe një relike të jashtëzakonëshme
dhe jo vetëm për të zotin e saj. Kjo relike përmban dhjetë fletë të shkruara në
të dyja anët me një shkrim "këmbë pulash". Agim Matraku e ka shkrua
atë me një frymë dhe pa e carë kokën për kaligrafinë; madje edhe pa e daktilografuar.
Pjesa më pacavure e kaligrafisë
së kësaj relikeje është në krye dhe
përmban vetëm pesë fjalë:" Zoti sekretar i shtetit, zotërinj
gjeneralë".
Më poshtë - vazhdon një rjedhë
tjetër e stabilizuar.
Është një analizë e bërë pas 26
qershorit 1997 nga Komandnati i Bazës së Kucovës.
Luftarakët e Ministrisë së
Mbrojtjes së asaj kohe nuk e kanë mbajtur as edhe si dokument për ta arshivuar.
" I thashë më pas deputetit
XY se mos i nevojitej dikujt kjo analizë, por ai tha pa hezitim, jo".
Dhe piloti gjuajtës, po pa hezitim
, e futi atë në xhep për ta ruajtur diku në bibliotekën e tij dhe për të rënë,
si një top i florinjtë prej qiellit, këtu, në tavolinën time të punës.
" Free lance " i i
njohur Ylli Pollovina , i njohur për erudicionin që manifeston pa oshilacione ,
ka shkruar me një frymë një libër ku duket ka marrë informacion të bollshëm nga
Matraku; mbase edhe nga këta shënime. Me gjithë guximin e tij dhe pasionin
djaloshar për të pasqyruar flakë për flakë dicka nga tragjedia kucovare në '97
, mendoj që, edhe ajo "pak
fantazi" , sic pretendon Pollovina i njohur si penë e stërvitur në
fushën e analizave gazetareske, sikur e ka zbehur pak të vërtetën e atyre
ditëve të nëmura.
Nga anan jonë,ne, në këtë tregim
përkushtuar Matrakut, do t'u kalojmë
arimavista atyre ditëve, si edhe krejt jetës së tij.
Ja, pra, të lexojmë disa fragmente nga ky
relik i Matrakut, që ai e ka ruajtur si një fëmijë të hedhur në rrugë e që nuk
pranon ta marrë asnjë jetimore, megjithëse është një gjeni i lindur.
" Kam 14 muaj që kryej detyrën e Komandantit të repartit...Sapo e
mora atë, në gusht 1996, mendova dhe
arrita të realizoja, pas tri viteve radhazi ndërprerje, fluturime natën...Në
tetor të po atij viti, mbas katër viteve, organizova qitje dhe bombardim në
poligon dhe,në nëntor - dhjetor, me
gjashtë ekipazhe morëm pjesë në stërvitje shumarmëshe - qitje luftarake në
derdhje të Erzenit..."
" Që nga dt. 25 janar ... deri me dt. 10 mars 1997 pothuajse kam
ndenjur në repart ditë e natë, herë vetëm e herë me të tjerë".
" Me dt. 6.2.97 vjen fonogrami ( vijeni re, lexues të dashur, F O N
O G R A M - Shën. imi R.L.) nr.33 për kalimin në gatishmëri 100% të njerëzve
dhe teknikës " .
Pas një uljeje të përqindjes së gatishmërisë
për mungesa materiale,përsëri...
" Me dt.28.2.97 , në orën 23, më vjen fonogrami nr. 50 i Shefit të
Shtabit të Përgjithshëm (SHSHP) për kalimin e regjimentit 100% në gatishmëri të
lartë...Po atë ditë, ora 11.50, një urdhër nga Komanda e FMA për të përgatitur
një avjon dy vendësh që të shkojë për zbulim në zonën Tri Urat - Çarshovë, me
tendencë në kufirin grek".
...I dashur lexues, do të hap një pauzë të kësaj rrjedhe! Merre, qoftë
edhe si sprovë për durimin tënd...Kur kishin nisur revoltat e fajdeve në jug,
kosovari në Suedi I.M., që e kam mik dhe është patriot i denjë, më telefonoi
duke më thënë se në Shqipërinë e JUgut kishte hyrë greku, ndaj " po due me
i cue të dy djemtë me luftue me grekun qi ka hi në Shqipni".
Dhe kjo, kur Kosova kishte hedhur kushtrimin për luftëtarë.
Pas luftës së Kosovës, shqiptari H. P. me banim në Dallas
më tha gjatë një tripi në Kosovë me shpenzimet e tija: " Kam ardhë i
armatosun deri edhe me pancirë për me luftue me grekun në jug, se kështu na u
hap fjala në Dallas.
Kam pritë tri ditë te dera e SHIK ut me sqarue se,a me tamam kishte hi greku në
Shqipni, apo ishin ngatërrue shqiptarët ndër mes vedit. Kur e mora vesh të
vërtetën, sigurisht që nuk u nisa me luftue në Jug vëllau me
vëllanë".
Në shtypin e 97 'kam lexuar edhe
deklarime rezervistësh që thonin se ishin mobilizuar për në jug sepse kishte
sulmuar Greqia.
Në analizën e zhvilluar për
ngjarjet e '97 nga ish shefi i shtabit të ushtrisë Gjen.Aleks Andoni kam lexuar se " dy
shikas kanë lexuar në radio Kukësi njoftimin e rrenjtshëm se kishte sulmuar
Sërbia Shqipërinë ".
Ja,kjo ishte paranteza ime, pa as
edhe një koment më shumë...
" Me dt. 2.3.97 vjen urdhëri për ngritjen e avjonit UTI MIG në
Rajonin Fier - Vlorë. I them komandës se nuk mund të bëj fluturim natën për
këta arsye...Në orën 21.11 ngrihem në ajër me masa shumë të pakta
sigurimi..Ngrihem edhe një herë në orën 22.34 , po për zbulim ,në rajonin Fier
- Vlorë.
...Në orën 10.55 vjen urdhëri nga
FMA që dy cifte MIG 19 të jenë gati dhe të armatosur me rraketa të
padrejtuara.Detyra jepet nga VKQ në ajër, që të hapet zjarr në ajër."
Më pas - gjithnjë jemi me 3 mars, jepet urdhër që të bëhet përsëri
shantazh mbi "rrebelët" apo "kryengritësit" duke qëlluar
përmbi kokat e tyre ( por jo për të vrarë ), por, cuditërisht," zjarr nuk
u hap se kishte difekt topi".
Atë ditë jepet urdhëri për të
patur të armatosur me rraketa të padrejtuara katër MIG ë dhe, Matraku, sic
shkruan,
"vërej tek efektivi pilot se
ka reagime; sidomos shtrohej gjithandej pyetja se si do të reagohet po të jepet urdhëri për “zjarr
kundër objekteve toksore"?.
Komandanti tanimë është i
mbushur. I duhet të vendosë. Është mësuar që skënderbegas të bindet.Tani po i
vihej në provë burrëria e tij. Burrëria para atdheut.
Matraku
shkruan:
" Së bashku me shefin e shtabit, u thashë
pilotëve:
- Në
të gjithë rastet që do të na jepet urdhëri për të fluturuar, ne si ushtarakë,
jemi të detyruar, sipas betimit, të zbatojmë urdhërin.
- Në
rast se do të jepet urdhër për të hapur
zjarr në ajër -zemrën dhe trurin e keni me vete; virini në dispozicion të
ndërgjegjes suaj.
- Në
rast se do të jepet urdhëri për të hapur zjarr kundër objekteve toksore, në
asnjë mënyrë të mos hapet , duke qënë të vendosur plotësisht për këtë.
-
Pavarësisht se në cfar lartësie ju jepet urdhëri, në asnjë rast, përmbi zona me
njerëz, të mos uleni poshtë 5000 metrove, sepse ju qëllojnë nga poshtë."
" Me dt. 4.3.97 , në orën 13.30 , jepet
urdhëri nga Kom.FMA që, në vazhdim të urdhërit të 100 ( ish MMbrojtjes) që, 600
a, Fatmir Mecaj, me rraketa, të qëllojë makinat që ngarkojnë municion në rrugën
Tepelenë - Vlorë, në rajonin e Gusmarit. Diskutoj në telefon zbatimin e këtij
urdhëri.Sqaroj se nuk duhet zbatuar një detyrë e tillë jo vetëm nga ana morale,
por edhe teknikisht, është e pamundur futja pozicionale për qitje. Marr kontakt
me pilotët dhe u them për urdhërin e dhënën dhe i pyes se si të veprojmë më
tej.
Të
mos ngriheshim në ajër, e dinim se c'na priste, të qëllonim mbi njerëzit ishte
absolutisht e pabërë. Vendosëm një rrugë të mesme.Po të ngriheshim në ajër, të
vëpronim si më parë...Nga ana tjetër, duke parë se në c'rrugë po hynim tanimë,
i dhashë urdhër shefit të VKB " TË REGJISTROHET CDO GJË NË MANJETOFON...TË
SHKRUHET CDO URDHËR I DHËNË NGA VKQ DHE
CDO FJALË E PILOTIT NË AJËR".
Shënimet e asaj dite vazhdojnë më tej; 600,
Fatmir Mece (sot në SHBA me Green Card), i urdhëruar për "zjarr",
kthehet duke raportuar se nuk kishte
parë asgjë në rajonin e vendlindjes së tij, Tepelenë, pikërisht në Gusmar.
"
Me sa duket, ata nuk e besuan raportimin e Fatmir Meces, dhe më urdhëruan mua.
Duke mos më besuar edhe mua, ngrënë nga Rinasin Petrit Dashin por, edhe ai
raportoi njëlloj ; që në ajër".
Po vinte era gjak. Dikush e dëshëronte këtë
ose i inatosur, i prishur nga nervat apo
si pjesë e një skenari të tërë.E dëshëronte me këmbëngulje.
Po
atë ditë, pas uljes së aeroplanit të tretë që qe ngritur ora 21.17, komandanti
i mësuar me adhurim gjithandej prej spektaklave ajrore, tanimë, në pikë të
hallit nga "tokësorët", i përngjet një vajze të përkëdhelur nga të
gjithë e të rritur me pekule e që s'i ka munguar asgjë që i duhet të
vetëmbrohet nga një bandë burrash të palarë që duan ta përdhunojnë.Ai mbledh
shtabin që ka dhe vendosin kolegjialisht që edhe në ajër nuk do të qëllojnë më
dhe se nuk do të kryejnë asnjë lloj detyre më pa ardhur urdhëri me shkrim dhe i
vulosur dhe se, kundër objekteve tokësore do të qëllojnë vetëm poqese ai është
forcë e huaj që ka hyrë forcërisht në territorin e shtetit shqiptar.
Me
dt 5.3. 97 gjeti zbatim për herë të parë vendimi i mësipërm: nuk u zbatua
urdhëri i dhënë për të qëlluar një autokollonë me tanke.
"Në këta kushte, në orën 9.00 të dt.
5.3.97 raportoj në komandën e FMA –së se gjëndja morale e pilotëve është e ulët
e se nuk pranojnë fare të ngrihen në ajër.
Asnjë përgjigje!
Në orën 09.15 ngul këmbë se, pa ardhur njeri
nga Shtabi i Përgjithshëm, ose MM nuk zbatoj asnjë detyrë...Në orën 15.00 vjen
në repart zv.min. A.Moissiu dhe veterani i aviacionit E. Ohri...Në esencë,
pilotët u kërkuan atyre që të ndërpriten veprimet luftarake...Me dt. 6.3.97 ,
në orën 09.35 marr një konfirmim se nuk do të ketë ngritje në ajër, vetëm në
rast se ka shkelje të kufirit shtetëror..22 avjonë i kisha siguruar tanimë në
tunel. "
Kjo
- pas vizitës së dy veteranëve...
" Pas dt. 3 , shumë fluturime janë
kërkuar të realizoheshin pikërisht nga unë, sic duket duke marrë shkas nga
largimi i dy gjuajtësve në Itali".
" Me sa kemi dëgjuar, sulmi mbi repartin
me dt. 9 është përgatitur të paktën që me dt.8 "
Shënimet
e Komandantit vazhdojnë më tej rreth
sulmit të bërë mbi repart nga turmat e prira nga fëmijë, ndërsa kishte dhënë
urdhër që, asnjëri nga ushtarakët të cilët ishin të gatshëm ta mbronin me zjarr
vënddislokimin e tyre, të mos shtinte pa urdhërin e tij.
Kohë pas kohe, në deduksionet e tija, Agimi
që ka nisur të përdorë syze tani packa nga e qeshura ende djaloshare, i kthehet
përsëri "asaj"...Asaj...
Një ditë përpara se të sulmohej reparti i
tij, ai ka patur në prezencën e mbi tridhjetë pjestarëve të efektivit që kishte
nën komandë, një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë me ish Ministrin e Mbrojtjes, të ndjerin Safet
Zhulali. Ja se c'far ka të shkruar në
shënimet që kam përpara për këtë takim:
" Ai më kërkoi se, përse nuk pranojmë të
fluturojmë. I them se nuk ngrihemi në ajër më për të qëlluar, jo vetëm
popullin, por as edhe, thjeshtë, në ajër. Më thotë se e keni bërë një betim.
Po, i them, por...Më thotë se, për moszbatim urdhëri, ushtaraku ka sanksione. I
them se jam gati për cfardo lloj sanksioni, po urdhëra të kësaj natyre nuk
zbatoj.Me kaq, biseda u mbyll".
Është interesant se, në shënimet që u ka
paraqitur eprorëve Matraku, nuk e ka parë të arsyeshme se si , së paku , ka
qënë edhe përpara një stresi tjetër.
Në shtypin ushtarak, është shkruar se "për moszbatim urdhëri" atë kishin
ardhur edhe ta arrestonin .
Rreth
kësaj teme, Matraku jep këtë sqarim.
"
Në të vërtetë, ka ardhur një helikopter, që pilotohej nga Noc Selimi ( sot në
Itali, larguar nga atdheu me njërin prej helikopterëve të Regjimentit të
Farkës, ku kishte detyrën e
zv.komandantit - shën. imi R.L.). Noci kishte pamjen e një njeriu të marrë
peng. Çunat e rinj që fluturojnë me MIG 17, Ilir Stefa, Përparim Bizhga, Vegim
Hasani, Altin Lame si edhe Arqile Titi m'u bënë gardh duke më këshilluar të
ikja tutje se ata të helikopterit kishin
ardhur për të më arrestuar".
Pyetjes së kujtdo se, si ka ngjarë puna me
aeroplanin që e tërhiqnin civilët si buall, pamje që u transmetua në gjithë
rruzullin përmes " Euro Neës" it, ish komandanti i bazës veterane, i
cili shërben aktualisht ( 26 maj 2002 ) me detyrën e shefit të shtabit të Krahut
Ajror të Rinasit i përgjigjet me spiegimin e mëposhtëm.
Ka
qënë njëri prej avjonëve të gatshëm se të tjerët ishin të ndryrë në tunel.
Ishte një bandë kucovare që po tërhiqte me diagac një MIG 15. Komandanti u ka dalë përpara. Kucova është
një qytet i vogël dhe banorët e saj e njohin njëri tjetrin. Edhe djelmoshat
kucovarë që , të dehur nga avujt e anarkisë e që kishin vendosur ta conin
avjonin mu në qendër të bulevardit, jo vetëm që e njohën komandantin që nuk
ishte asfare buzagaz e gojëëmbël, sic e dinin të gjithë, por dhe e zgjidhën
“lodrën “ e tyre të paparë askund, nga diagaci.
Komandanti,
ndërkohë, e pranoi pa asnjë hezitim këmbënguljen e tyre që të hipte me ta në
makinë.
Nipi
i kacakut të lashtë tanimë nuk ishte adhuruesi i Pushkinit, Eseninit dhe
Dritëro Agollit.
“Të
nesërmen, njëri prej atyre, më takoi dhe, duke përveshur llërën më tha:
"
Komandant! As mua dhe asnjerit nga ne mos na dil përpara pas orës dhjetë të
darkës..Në atë orë ne jemi të droguar që të gjithë...Ja shënjat e inxheksioneve
që kam bërë unë...Dje ke shpëtuar krejt rastësisht pa të vrarë!".
Tre
muaj më pas, Gjeneral Perlat Sula është takuar me heroin e tregimit
tonë, me të cilin është zhvilluar ky dialog:
" Zoti gjeneral! Duhet të më lironi nga
detyra e Komandantit të Regjimentit...Duhet ta bëni pëtjetër këtë!"
" Faleminderit Agim...Të falem nderit
shumë...Më hoqe një barrë të rëndë...Ne jemi takuar sot, pikërisht që unë të të
komunikoj lirimin nga detyra".
POST
SCRIPTUM
Të gjithë jemi habitur por dhe e kemi parë
nderim kur i ndjeri Safet Zhulali, në kohën kur sulmohej ende në shtyp për
shkatërrimin e ushtrisë , erdhi befasisht në atdhe.
Ai erdhi
i hapur para drejtësisë, pa kërkuar
mbështetjen e shtërnguar të partisë, drejtuesit e së cilës kanë
"imunitetin" e komponentit shoqëror të quajtur opozitë , dhe duke
ecur, kur kishte dëshirë, edhe fare i vetëm dhe i qetë mes për mes bulevardeve
të Tiranës.
Të
ndjerit Zhulali i përket një thënie
kasandrine, sipas së cilës, '97 është
një dosje e zezë dhe e mbyllur për të mos u hapur kurr.
Se c'ka
ditur ai njeri që drejtoi me sukses jo pak reforma në ushtri, përfshirë një
programi të mjaftë në fushën e integrimeve dhe që, u ambjentua paq me devocionin e oficerët që i përngjisnin
" së kuqes së shalqinit " , këtë tanimë s'e dimë.
Zotin
Zhulali nuk e kemi më, ama, kemi prej tij , një thënie burrërore, që askush nuk
ka guxuar ta thotë gjer tanimë .
Kemi në
dorë një kyç. Një kyç që, sipas thënies së të ndjerit, nuk ka për ta gjetur
derën kurr.
Sipas këtij
kyçi të lënë nga personi me të cilin ka bashkëbiseduar një ditë para
shkatërrimit të repartit të tij heroi ynë, vallë, kush të jenë ata forca që e
mbajnë të mbyllur "dosjen e zezë"?
Ambicia ime si shkrimtar me profesionin e
pilotit, sigurisht që nuk ka pasur as ka për piksynim të tentojë për ndonjë
pikiatë, qoftë edhe të vetme , në drejtim të kësaj "Dosjes së zezë".
Lumturia
ime do të ishte të paraqisja , sado në mënyrë modeste ( unë, në librin " Ylli që sheh mbi
sheshin "Skënderbe" kam parëqitur para lexuesëve tregimin rreth kësaj
teme me titull "Bomba mbi urën e Mifolit”), atë që kanë hequr prej kësaj
kutie të zezë objekti që unë njoh më mirë - aviatorët.
Pjesa më e
zgjedhur e popullatës shqiptare.
Dhe më
naivja.
No comments:
Post a Comment